Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967 në Tiranë. Ka qenë shkrimtar i shquar, përkthyes dhe ekonomist nga Shqipëria. Shkroi nën pseudonimet Mitrush Kuteli, Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas. Mësimet e mesme i kreu në Selanik, kuse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin “Doktor i shkencave ekonomike”. Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa vdiq, më 4 maj 1967, si përkthyes. Mitrush Kuteli, si një personalitet demokrat që i shpalli hapur e me guxim pikpamjet e tij, u keqtrajtua nga shteti monist deri sa u dënua edhe me burgim. Keqtrajtimi i tij vazhdoi edhe pas daljes nga burgu, kur ai u detyrua ta vazhdojë punën e tij krijuese në kushte të vështira ekonomike dhe i lënë në harresë nga shtypi zyrtar.
Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme. Veprimtarinë letrare e nisi me botimin e vjershave e tregimeve, po edhe me artikuj që kishin një frymë antizogiste në gazetën “Shqipëria e re”, në Kostancë (Rumani). Vepra letrare të tij janë vëllimet: “Netë shqiptare”, “Ago Jakupi”, “Kapllan aga i Shaban Shpatës”, “Dashuria e berberit Artan”, “Shënimet letrare”, “Sulm e lotë”, “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, “Mall e brengë”, “Havadan më havadan”, “Tregime të moçme shqiptare” etj. Si përkthyes ai pasuroi kulturën shqiptare me Kryevepra të letërsisë botërore si “Kujtimet e një gjahtari” të Turgenjevit, “Tregimet e Petërburgut” dhe “Shpirtra të vdekura” të Gogolit, “Zotërinj Gollovlinovë” të Sllatikov Shçedrinit, vepra të Gorkit, të A.Tolstoit, të Paustovskit poezi të Pablo Nerudës etj.
Dallohen për problematikën e rëndësishme, për tonin e rreptë antifeudal, për dashurinë ndaj atdheut e ndaj njeriut të thjeshtë të popullit, për përbuzjen ndaj gjithçkaje të huaj që vjen të shkatërrojë një traditë të bukur tregimet: Vjeshta e Xheladin beut, Hanet e karvanet, Si u takua Ndoni me Zallorët, Gjonomadhë e Gjatollinj,Xha Brahua i Shkumbanares, Kujtimet e kujtimeve, Natë muaji Shembiteri, Natë marsi, Qetësi para fërtyneetj.
Dramaciteti i këtyre tregimeve është gërshetuar me një humor shumë të hollë, që vjen gjithnjë organikisht, si sfidim i tragjicitetit. Ai përfaqëson optimizmin karakteristik të thjeshtë e me pasione të fuqishme.Tregimet e para të Kutelit u shquan për lirizmin dhe përshkrime dehëse, kurse të tjerat u shquan për thellësinë dhe vërtetësinë e përshkrimit të jetës.
Historiani, etnografi e filozofi janë shkrirë me poetin, që i këndoi rrjedhshëm në prozë jetësinë e popullit të tij. Tregimet më të mira të tij si: “Xha Brahua i Shkumbanares”, “Vjeshta e Xheladin Beut”, “Kujtimet e kujtimeve” etj, karakterizohen nga vërtetësia e pasqyrimit nga ngrohtësia e ndjenjës dhe bukuria e mendimit. Në gjithë krijimtarinë e tij gjejmë përjetësimin e krahinës, të gjithë malësisë së Pogradecit. Ai i bëri në prozë krahinës së tij atë përjetësim që i bëri Lasgushi në poezi.
Mitrush Kuteli është autori i parë shqiptar që botoi vëllime me kritikë: Lasgush Poradeci (1937) dhe Shënime letrare (1944). Kritika e tij letrare shfaqet në trajta të ndryshme: shënim, recension, studim e ese. Dy studimet e tij më të njohura për letërsinë shqipe janë ai për poezinë e Lasgush Poradecit dhe ai për poezinë e Fan S. Nolit.
Ai gjithashtu mbetet një folklorist i apasionuar. Materialet që ai mblodhi me durim e kujdes, i përmblodhi në vëllimin “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, Fryt i përpunimit me mjeshtëri i materialeve folklorike ishte edhe vëllimi “Tregime të moçme shqiptare” etj.
Proza e Kutelit është e fuqishme me frymë të theksuar popullore, me një gjuhë shumë të pasur e të përpunuar. Në përgjithësi ajo është realiste, por, krahas realizmit, ndihen dhe tone romantike. Pothuaj në të gjitha tregimet, ngjarjet zhvillohen në të kaluarën. Por kjo e kaluar është një mjedis ku ai qëmton probleme e motive të rëndësishme të kohës. Ai vështron në të kaluarën, për të sjellë jehonën dhe shembullin e gjithçkaje të mirë, që ruajti populli ynë nga rebeshet e kohës.
Proza e Kutelit bën pjesë në fondin e artit të letërsisë sonë. Ai i ruan vlerat kryesore ideoartistike ngrohtësinë e poezinë e saj dhe është shembull i mbështetjes krijuese në traditën popullore. Në vitet ’30 ky autor kontribuoi shumë shumë për ngritjen ideoartistike të prozës sonë të shkurtër në nivelin e poezisë, sepse deri atëherë ajo kishte mbetur prapa saj.
Rreth dyzet vite pas vdekjes, më 27 shtator 2002 me dekretin nr 3478, me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinis dhe Sporteve dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë me dekoraten e nderit të Republikës së Shqipërisë : Urdhri “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Filed under: Jetëshkrime, Mitrush Kuteli | Tagged: albania, albanian poetry, Mitrush Kuteli, poezi, shqiperia |
Lini një Përgjigje