• Arkivë

  • Kategorira

  • Publikime të reja

  • Reklama

Në aeroport – Vorea Ujko

Në aeroport

Gusht i vonuar. E unë
i kredhur në zhegun 
e aeroportit të Tiranës
shijoja një ditë fëmijnije
duke kërkuar fillin e bjerrë.
Nga pista e fluturimit
një zë më thirri:
Mirë se vjen vëlla Vore!
Prej kah vinte ai zë?
Ishte vallë zëri i babës
apo zëri i vëllait?
Të dallova e m’u duke
një shtegtar udhëtimesh të gjata
nën qiej të shndritshëm.
Dëgjova përshëndetjen e ngrohtë 
dhe pashë fytyrën e butë
ku lexova sihariqe të sigurt.
Nga sa mot ne u kishim ndarë?
Oh, rrahje zemre!
Askurrë s’kam qenë ashtu i lehtë
në hovin tim të pastër.
E më rrethuan krahë.
brenda një rrethi vllazërie.
Pastaj vrapuam drejt Tiranës
dhe e ndjeva veten një zog
me cicërima dielli në gjoks.
Gra të gëzueshme nëpër fusha
i buzëqeshnin birit që kthehej.

Reklama

Natyrë – Vorea Ujko

Natyrë

Tek vrapoja me nëntëdhjetë
u ndesha me një bagëti.
Ndala sa të kalonte
e nga xhami i makinës
unë vështroja fushën e blertë
dhe malet me borë përpjetë.
Më arriti në flegrën e hundës
aroma e deleve
e më kapi një lakmi
jete të thjeshtë.
Nëse do të kisha qenë më i guximshëm,
do ta kisha lënë makinën
për të ndjekur delet
bashkë me barinjtë.
Çfarë këngësh,
midis malit dhe fushës.
Këndova brenda makinës
gjatë tërë udhëtimit.

Burimi – Vorea Ujko

Burimi

Duke ndjekur gjurmët e stërgjyshëve
kam ecur pesëqind vjet
me këngë arbëreshe në buzë
e sot ua gjej burimin
dhe i lisave, i erërave
i fshatarëve, i punëtorëve
un jam vëlla.
E shenjtë kjo tokë,
i shenjtë ky qiell
e nga të gjithë unë ndihem i mbrojtur
dhe juve jua fal këngën time.

Gjuha Ime – Vorea Ujko

Gjuha Ime

Në avion kumbojnë gjuhë të huaja

e megjithëse disa i kuptoja

mua më erdhi si inat

se gjuhën time s’ e dëgjoja.

E tek pija duhan i menduar

papandehur larg meje

po kumboi gjuha ime.

Një rrymë me tension të lartë

insudoi me dritë

malet e mia, troje, qytete,

fshatra, rrugë, sheshe,

ku unë lexova emra

krahë që zgjateshin,

fytyra që buzëqeshnin.

Tungjatjeta, udhambarë!

e dashurova arabin dhe ebreun,

vietnamezin e japonezin

megjithëse gjuhën time s’ e kuptonin.

E putha plakën para meje

që mendoi se kisha

një damar marrëzie.

Kjo gjuhë ka aq bukuri

sa ngjyrat e ylberit,

e nuk provoj hidhërim

në qoftë se nuk shitet në pazaret ndërkombëtare.

Urtësia e saj e lashtë

është një distilim

barërash të rrallë

i tharmëtuar me durim.

Prandaj kushton shumë.

Edhe fjalët kanë një çmim të lartë

e fjala më e çmueshme është heshtim.

Vorea Ujko – Jetëshkrimi

 Vorea Ujko është pseudonimi i Domeniko Belicit, lindur më 1918 në Frasnitë të Kalabrisë, prift dhe poet i mirënjohur arbëresh, një nga lirikët më të shquar të poezisë arbëreshe të ditëve tona. Vdiq më 1989.

vorea ujko

Vorea Ujko

 Ka studiuar për letërsi dhe ka punuar si mësues i letërsisë. Poezia e Ujkos shquhet për përmallimin dhe krenarinë që ndien poeti për Shqipërinë. Krijimtaria e tij është e ngjyejtur me shpirtin e veprimtarisë të Jeronim de Radës. Ka botuar vëllimet poetike “Zgjimet e gjakut” ( 1971), “Kosovë” (1973), “Mote Moderne” (1976), “Ankth” (1978) dhe “Stinët e mia” (1980). Vjersha dhe vëllime të zgjedhura të tij janë botuar në Shqipëri e në Kosovë.

Naim Frashëri: Jetëshkrimi

 

 Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit; vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri. Naimi është bilbili i gjuhës shqipe, mjeshtër i fjalës. Vepra e tij vuri bazat e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila do të njihte më vonë një zhvillim të mëtejshëm, për të arritur gjer në shqipen e sotme letrare kombëtare të njësuar e të zhvilluar. Tradita që krijoi Naimi, është e gjallë dhe frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë sonë të sotme. Naimi më tepër se shkrimtar, është poeti më i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, është atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe i kulturës shqiptare.

 Në vendlidje bëri mësimet fillore. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur “Zosimea”. Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjtër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuarnëStamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme. Në fillim ishte nëpunës të dhjetash në Berat e më pas i doganës në Sarandë (1872-77). Në këtë periudhë Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve e u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885). Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqiptare. Poema e tij e parë e re ishte Shqipëria (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria” (1884-85), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa shqipërime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar.

 Më 1886 Naim Frashëri botoi poemën e tij të famshme Bagëti e Bujqësi, atë greqisht Dëshira e vërtetë e shqiptarëve (O alithis pothos ton Alvanon) dhe katër libra për shkollat: “Vjersha për mësonjtoret e para”, “E këndimit të çunavet këndonjëtoreja”, (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një “Histori të përgjithshme”. Më 1888 vijoi me “Dituritë” (ribotuar më 1895 me titullin “Gjithësia”, – shkenca të natyrës). Më 1890 doli përmbledhja e lirikave Lulet e verës, pastaj “Mësimet” (proza patriotike dhe të moralit) dhe Fjala flutarake (vjersha) më 1894, së fundi më 1898 poema e madhe epike Historia e Skënderbeut dhe poema fetare Qerbelaja etj.
 Naim Frashëri u shqua për lirikën e tij patriotike me temë aktuale (vjershat “Gjuha shqipe”, “Korçës” 1887 etj.), u këndoi me pasion të rrallë mallit dhe bukurive të atdheut (“Bagëti e bujqësia”) dhe bëri thirrje të fuqishme për çlirimin e tij (krijime të ndryshme, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”), si dhe për begatimin e vendit dhe një të ardhme demokratike të tij. Ai i këndoi natyrës, dashurisë (poema “Bukuria”, një ndër kryesoret e tij, 1890), miqësisë, jetës intime (me brengën për të afërmit që bori). Poema “Historia e Skënderbeut”qe një kurorëzim i veprës së tij, “testamenti i tij politik e poetik”, me grishje të hapëta për çlirim nga Turqia është shkruar sipas traditës së madhe barletiane. Në poemat epike ai u ndikua nga historitë e vjershëruara të Lindjes dhe nga bejtexhinjtë frashëriotë, po duke iu kundërvënë këtyre me shqipen e kulluar apo me shkarkirnin e dogmës fetare (në “Qerbelaja” dhe në veprat e tjera, që i hartoi për afrimin e elementit besimtar në lëvizjen kombëtare).
 
 Naim Frashëri u shqua edhe për poezinë meditative, nisi në shqipet poezinë filozofike (vjersha “Perëndia” 1890). Shkroi dhe proza për të vegjlit dhe bëri disa përshtatje mjeshtërore fabulash të La Fontenit. Botëkuptimi i Naimit ishte në thelb panteist e idealist. Me admirimin e madh që kishte për racionalizmin e Dekartit dhe si pasues i shquar i iluministëve francezë Volter, Ruso etj., me besimin e plotë në shkencat dhe në rolin e tyre revolucionar në shoqëri (pranimi i teorisë Kant-Laplas dhe i darvinizmit, që i propagandoi me guxim të madh për kohën), me demokratizmin e tij dhe antimonarkizmin, besimin në aftësitë e pashtershme të popullit të vet për të qëndruar, për t’u çliruar, për të vajtur përpara me hov, Naim Frashëri u bë një veprimtar revolucionar në tërë fushat, si shkrimtar, njeri i mendimit, njeri politik. E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe kulturore ishte e lidhur ngushtë me çlirimin dhe përparimin e vendit, me çlirimin shpirtëror dhe ndriçimin e masave të popullit. Ai kishte besim të plotë në aftësinë e mendjes për të njohur realitetin e për të vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve të botës. Kërkonte arsimim për të gjithë, emancipimin e gruas, qeverisjen demokratike, të vendit (një “demokraci prej pleqet”, pra të një ngjyre shqiptare), ngrinte lart vetitë e karakterit të shqiptarëve (besën, trimërinë, bujarinë), traditat kombëtare që nga lashtësia pelazgjike. Bënte thirrje për miqësi me fqinjtë në kushtet e respektit reciprok, shpallte dashurinë në gjithë popujt e racat, ngrihej me forcë kundër Megali Idesë e pansllavizmit, duke admiruar vetitë dhe kulturën e popujve të tjerë (poezinë përparimtare lindore, atë greke, latine, rilindjen evropiane, romantizmin evropian, prej të cilave dhe u ndikua).
 Ndikimi i Naim Frashërit, me gjallje të shkrimtarit dhe pas vdekjes, jo vetëm te shkrimtarët shqiptarë të kohës, por edhe të periudhës së mëvonshme, ishte i madh. Pas Çlirimit u vunë në pah dhe u çmuan gjerësisht meritat dhe vlerat e punës dhe të krijimtarisë së tij, përmes studimesh të ndryshme. Ribotimet e veprave të tij janë të shumta; përveç tyre janë bërë edhe disa botime kritike shkencore të veprave të Naimit. Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla dhe institucione të ndryshme. Për merita kulturore në Shqipërinë jepet urdhri që mban emrin e poetit kombëtar.

Bibliografia e veprave të Naim Frashërit

     Në Gjuhën Shqipe

  1. Bagëti e Bujqësija. Bukuresht, 1886
  2. E Këndimit çunavet. Këndonjëtoreja. Copë e parë, Bukuresht, 1886
  3. E Këndimit çunavet. Këndonjëtoreja. Copë e dytë, Bukuresht, 1886
  4. Istori e përgjithëshme për mesonjëtoret të para. Bukuresht, 1886
  5. Vjersha për mesonjëtoret të para. Bukuresht, 1886
  6. Dituritë për mesonjëtoret të para. Bukuresht, 1888
  7. Luletë e Verësë. Bukuresht, 1890
  8. Mësime. Bukuresht, 1894
  9. Parajsa dhe Fjala Luftarake. Bukuresht, 1894
  10. Gjithësia. Bukuresht, 1895
  11. Fletore e Bektashinjët. Bukuresht, 1896.
  12. Iliadh’ e Omirit. Këngë e parë. Bukuresht, 1896
  13. Istori e Skënderbeut. Bukuresht, 1898
  14. Qerbelaja. Bukuresht, 1898
  15. Istori e Shqipërisë. Sofje, 1899
  16. Shqipëria. Vjershë. Sofje, 1902
          Në Gjuhën Turke
  1. Kavaidi Farisiyye ber tarzi nevin ( Gramatika e persishtes sipas metodës së re ). Istanbul, 1871.
  2. Ihtiraat ve kessfiyyat ( Shpikje dhe Zbulime ). Istanbul, 1881.
  3. Fusuli Erbea ( Katër Stinët ). Istanbul, 1884
  4. Ilyada. ( Iliada ). Istanbul, 1886
Në Gjuhën Persiane
          Tahayyülat. ( Ëndërrime ). Istanbul, 1888
Në Gjuhën Greke
  1. ὀ Ἁληθής Πόθος τῶν Σκυπετάρων ( O Alithis Pothos ton Skipetaron ), (Dëshira e Drejtë e Shqiptarëve). Bukuresht, 1886
  2. ὀ Ἕρως. ( Dashuria). Istanbul 1895.