Poem Kosovar – Durimi – Mitrush Kuteli

Durimi

Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që në vogelì.
Jam si më sheh
e si më njeh:
kësulë-bardh e krye-lith,
kryelith me një shami,
me tri shami:
për trimëri!
Jam eshtër-math
i vrazhdët jam
e bojalli-
dhe sytë e mi:
janë plot shkëndì,
si baterdì.
Dhe kam urì
si s’ka njerì
për Drejtësì
e për Lirì
si gjithë Asimët
e gjithë Qerimët
e Vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim
që në vogelì.
Se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët.
Ma vranë,
se urdhër dha Vojvoda
e Krali- vetë:
Të vritet.
Se ish Kosovar!
Dhe se ish zot
mbi këtë Dhè!
Dhe tokën qe kisha nga Baba
nga gjyshi
rrënjë pas rrënje
prej qindra vjet,
prej mijëra vjet
ma muar.
Ah!
Ma muar Vatanin
që desha
si xhanin!
Ma muar
me armë në duar
me gjak nëpër duar
Agrarët!
Xhandarët
Tuxharët!
Të gjithë tok
u bënë shok:
si sorrat!
për kërme.
Oborrin ma muar
gjer në shtepi
dhe ngrehe për vete shtëpi
në sytë e mi.
Dhe unë,
ja, unë!
që isha zot
që qemot:
mbeta pa dhè,
bujk pa dhè
bari pa kope
këtu,
në dherin tim.
Dhe plori m’u ndryshk,
Hambari m’u myshk…
Po shpresa s’m’u vyshk!
Durova,
durova,
Sa nuk duron njeri,
as Perendi!

Advertisements

Vaji i Bylbylit – Ndre Mjeda

Vaji i Bylbylit

Po shkrihet bora, 
Dimni po shkon; 
Bylbyl i vorfën, 
Pse po gjimon?


Pushoi murlani 
Me duhi t’vet; 
Bylbyl i vorfën, 
Çou mos rri shkret.


Gjith; fushët e malet 
Blerim e mbëloj; 
Livadhi e pema 
Gjithkah lulzoj.


Ndër pyje e orgaja, 
N’ma t’mirin vend, 
Me rreze dielli 
Po e gëzon gjith’kend.


E tuj gjimue 
Shikon rreth e rreth 
Nji prrue qi veret 
Rrjedh nëpër gjeth.


A çil kafazi, 
Bylbyl, flutro; 
Ndër pyje e orgaja, 
Bylbyl, shpejto.


Kerkush ma hovin 
Atje s’ta pret, 
Me zeher haejen 
Kerkush s’ta qet.


Kafaz ke qiellin, 
Epshin pengim, 
E gjith ku t’rreshket 
Shkon fluturim.


Nëpër lamije 
Ke me gjet mel, 
Për gjith’prendverën 
Njajo buk t’del.


E kur t’zitë e di 
ndër prroje pi, 
Te njato prroje 
Qi ti vetë di.


Tash pa frigë çerdhen 
E ban ndoj lis; 
Nuk je si’i nieri 
Qi nuk ka fis


E kur t’vin zhegu, 
Kur dielli shkon, 
Ti ke me këndue 
Si ke zakon.


Rreth e rreth gjindja 
Me t’ndie rri; 
Prej asi vendit 
Dahen me zi.


A çilë kafazi, 
Bylbyl, flutro; 
Ndër pyje e ograja, 
Bylbyl, shpejto.


Ndër tranfofille, 
Ndër zamakë nga; 
Ku qeshet kopshti, 
Idhnim mos mba.


Po shkrihet bora, 
Dimni po shkon; 
Biylbyl i vorfën , 
Pse po gjimon?