• Arkivë

  • Kategorira

  • Publikime të reja

  • Reklama

Në aeroport – Vorea Ujko

Në aeroport

Gusht i vonuar. E unë
i kredhur në zhegun 
e aeroportit të Tiranës
shijoja një ditë fëmijnije
duke kërkuar fillin e bjerrë.
Nga pista e fluturimit
një zë më thirri:
Mirë se vjen vëlla Vore!
Prej kah vinte ai zë?
Ishte vallë zëri i babës
apo zëri i vëllait?
Të dallova e m’u duke
një shtegtar udhëtimesh të gjata
nën qiej të shndritshëm.
Dëgjova përshëndetjen e ngrohtë 
dhe pashë fytyrën e butë
ku lexova sihariqe të sigurt.
Nga sa mot ne u kishim ndarë?
Oh, rrahje zemre!
Askurrë s’kam qenë ashtu i lehtë
në hovin tim të pastër.
E më rrethuan krahë.
brenda një rrethi vllazërie.
Pastaj vrapuam drejt Tiranës
dhe e ndjeva veten një zog
me cicërima dielli në gjoks.
Gra të gëzueshme nëpër fusha
i buzëqeshnin birit që kthehej.

Reklama

Burimi – Vorea Ujko

Burimi

Duke ndjekur gjurmët e stërgjyshëve
kam ecur pesëqind vjet
me këngë arbëreshe në buzë
e sot ua gjej burimin
dhe i lisave, i erërave
i fshatarëve, i punëtorëve
un jam vëlla.
E shenjtë kjo tokë,
i shenjtë ky qiell
e nga të gjithë unë ndihem i mbrojtur
dhe juve jua fal këngën time.

Gjuha Ime – Vorea Ujko

Gjuha Ime

Në avion kumbojnë gjuhë të huaja

e megjithëse disa i kuptoja

mua më erdhi si inat

se gjuhën time s’ e dëgjoja.

E tek pija duhan i menduar

papandehur larg meje

po kumboi gjuha ime.

Një rrymë me tension të lartë

insudoi me dritë

malet e mia, troje, qytete,

fshatra, rrugë, sheshe,

ku unë lexova emra

krahë që zgjateshin,

fytyra që buzëqeshnin.

Tungjatjeta, udhambarë!

e dashurova arabin dhe ebreun,

vietnamezin e japonezin

megjithëse gjuhën time s’ e kuptonin.

E putha plakën para meje

që mendoi se kisha

një damar marrëzie.

Kjo gjuhë ka aq bukuri

sa ngjyrat e ylberit,

e nuk provoj hidhërim

në qoftë se nuk shitet në pazaret ndërkombëtare.

Urtësia e saj e lashtë

është një distilim

barërash të rrallë

i tharmëtuar me durim.

Prandaj kushton shumë.

Edhe fjalët kanë një çmim të lartë

e fjala më e çmueshme është heshtim.

Vorea Ujko – Jetëshkrimi

 Vorea Ujko është pseudonimi i Domeniko Belicit, lindur më 1918 në Frasnitë të Kalabrisë, prift dhe poet i mirënjohur arbëresh, një nga lirikët më të shquar të poezisë arbëreshe të ditëve tona. Vdiq më 1989.

vorea ujko

Vorea Ujko

 Ka studiuar për letërsi dhe ka punuar si mësues i letërsisë. Poezia e Ujkos shquhet për përmallimin dhe krenarinë që ndien poeti për Shqipërinë. Krijimtaria e tij është e ngjyejtur me shpirtin e veprimtarisë të Jeronim de Radës. Ka botuar vëllimet poetike “Zgjimet e gjakut” ( 1971), “Kosovë” (1973), “Mote Moderne” (1976), “Ankth” (1978) dhe “Stinët e mia” (1980). Vjersha dhe vëllime të zgjedhura të tij janë botuar në Shqipëri e në Kosovë.